Om Te Huajt per Shqiperine dhe Shqiptaret PJESA I
SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT Shqiptarët janë shtatë - lartë, nënvizon Baron de Vaudoncourt, gjithë muskuj, të fuqishëm dhe me bel të hollë...Kanë një profil mjaft tërheqës, njëlloj si modeli i statujave të lashtësisë greke. Në vështrimin e parë, pamja e shqiptarit të jep përshtypjen e një kombinimi ngjyrash të freskëta, të alternuara bukur, ku dallohen sytë ekspresivë, ngjyrë gri, vetullat e holla dhe të harkuara, balli i lartë dhe i ashpër si dhe mollëzat e faqeve si të skalitura. Buzët i kanë të mëdha dhe qafën të gjatë, shpinën të drejtë dhe gjoksin të gjerë dhe të hedhur përpjetë, ndërsa gjymtyrët në një trajtë të përsosur. Cilitdo i bie në sy qëndrimi i tyre krenar. Ata i përgatisin vetë rrobat e trupit të tyre, një veshje, të cilën Bajroni e quajti "më të mrekullueshmen në botë " dhe zakonisht mbajnë një kapele të vogël ngjyrë të kuqe flakë, të vendosur në pjesën e përparme të kokës së tyre të ruajtur në këtë pjesë, ndërsa floku, mbrapa, është i zgjatur jashte mase. Një mantel i gjerë u mbulon supet dhe u derdhet deri mbi gjunjë. Një rrip i lidhur fort pas belit të ngushtë, shërben për të mbajtur: një ose dy pisqolla dhe një kamë me doreza të punuara gjithë argjend. Mespërmes shpinës së tyre zgjatet pushka e hollë dhe e gjatë, kurse përreth qafës mbajnë zinxhira prej argjendi ku varen hajmali, kuti të vogla argjendi apo sahate me këllëfe të lëkurtë.
Vis mer